Vuk Drashkovic i ka bërë sërish thirrje Beogradit që të pranojë realitetin e ri që është krijuar me Kosovën dhe të ndryshojë strategjinë ndaj saj, në mënyrë që të mbrojë serbët dhe trashëgiminë kulturore në këtë vend.

“Beogradi duhet të respektojë realitetin në Kosovë, realitetin e botës në të cilën jetojmë dhe strategjinë e tij t’ia përshtasë synimeve reale”, ka deklaruar Drashkovic.

Lideri i Lëvizjes së Rimëkëmbjes Serbe ka bërë thirrje për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, e cila pamundëson një strategji të tillë.

Sipas tij, Beogradi duhet ta kuptojë se nuk ka më asnjë kontroll mbi Kosovën, e cila sa vjen dhe forcon pavarësinë e saj.

“Serbia nuk ka asnjë sovranitet shtetëror mbi Kosovën. Të gjithë në Serbi e dinë se Kosova nuk është më krahinë e saj, por nuk duan ta pranojnë. Kosova është jashtë cdo kontrolli të pushtetit të Serbisë”, ka shtuar Drashkovic.

Top Channel