Teherani zyrtar ka deklaruar se është i gatshëm të kontribuojë në zgjidhjen e “kontestit” të Kosovës, me qëllim vendosjen e paqes në Ballkan.

Qëndrimi është shprehur nga ministri i Jashtëm iranian, Manucer Motaki, gjatë një takimi me të dërguarin e presidentit serb që lobon kundër njohjes së pavarësisë.

“Irani është i gatshëm të kontribuojë për vendosjen e paqes dhe sigurisë në Ballkan, si dhe për zgjidhjen e kontestit mes Serbisë dhe Kosovës”, ka pohuar Motaki.

Sipas raportimeve të mediave serbe, shefi i diplomacisë iraniane ka shprehur shpresën e tij që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme dhe gjithëpërfshirëse përmes negociatave.

Motaki, vendi i të cilit nuk e ka njohur Kosovën, ka shtuar se Irani po ndjek me vëmendje situatën pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Top Channel