
Kërkesa e shefit të diplomacisë kosovare për zëvendësimin e rezolutës 1244 e bërë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit nuk është një kërkesë e thjeshtë dhe joformale.
Autoritetet kosovare e shohin të nevojshme nxjerrjen e një rezolute të re. “Ajo do të duhej të ishte në përputhje të plotë me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe realitetin e krijuar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë”, deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuci, pas mbledhjes së qeverisë.
Por për të ardhur deri tek ky moment, Kosova duhet të sigurohet se anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Kina dhe Rusia nuk do të ushtrojnë të drejtën e vetos.
“Ne kemi pasur për vite me radhë, që pas shpalljes së pavarësisë, bindjen se rezoluta 1244 ka tejkaluar mundësinë dhe nuk është më e përshtatshme për Kosovën. Nuk është tamam dhe mendojmë se pas vendimit të GJND-së ajo nuk ka efekt në Kosovë. Ajo duhet të shfuqizohet dhe të dalë një rezolutë e re”, ka deklaruar Kuci.
Në fakt, iniciativa për hartimin e një rezolute që do të zëvendësonte atë 1244 nuk u paralajmërua në mbledhjen e qeverisë kur kryeministri Thaçi përshëndeti mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Shefi i qeverisë kosovare ritheksoi se opinioni i GJND-së ka forcuar shtetin e Kosovës, ndërsa mohoi bisedimet me Serbinë për ndarjen e vendit.
Në mbledhjen e 136 të qeverisë së Kosovës u miratuan një varg projektligjesh, ndërsa u shty për në takimin e radhës projektligji për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë dhe projektligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve dhe pjesëtarëve të UCK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre.
Komuna e Mitrovicës në këtë mbledhje përfitoi 500 mijë euro nga buxheti i shtetit për investime kapitale.
Top Channel