Ish-komandanti i shtabit të përgjithshëm të UCK-së, Azem Syla, aktualisht anëtar i kryesisë së partisë së kryeministrit kosovar Hashim Thaci, po përgatitet të niset drejt Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Azem Syla është një ndër të akuzuarit kryesorë të Nazim Bllacës, person i cili ka deklaruar një vit më parë se ka marrë pjesë në veprimtari kriminale përfshirë edhe vrasje.

Në videon e publikuar, Bllaca kishte përmendur shumë emra, mes të cilëve më i përfoluri ishte ish-komandanti i UCK-së Azem Syla.

I shoqëruar me mbrojtësin e tij dhe njëherësh këshilltarin e kryeministrit Thaçi, Syla po vazhdon ecjen drejt prokurorisë speciale të Prishtinës.

Në një intervistë ekskluzive për Top Channel teksa po shkonte në prokurori, Syla tha se beson në pafajësinë e tij. “Po, besoj shumë. Isha pushim, iu përgjigja kërkesës së prokurorisë dhe tani të presim”, ka deklaruar Syla.

Ndërkohë, mbrojtësi i tij, Tomë Gashi tha se prokuroria nuk ka fakte për ta ndalur klientin e tij në paraburgim. “Nuk ka asnjë arsye ligjore për ta ndaluar”, është shprehur shkurt Tomë Gashi.

Gjatë ditës pritet të merret vesh nëse prokuroria do ta ndalojë në paraburgim Azem Sylen, ose jo. Një javë më parë, misioni i Bashkimit Evropian kishte bastisur shtëpinë e ish-komandantit të UCK-së në një fshat të Drenasit.

Bastisja ishte kryer nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ku një prokuror special i EULEX-it kishte qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes për të siguruar mbledhjen e materialit. Bastisja është autorizuar nga gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës së qarkut në Prishtinë.

Top Channel