Shqiptarët e Preshevës: Ne, pjesë e negociatave Prishtinë-Beograd

02/08/2010 10:50

Lideri i Partisë Demokratike Kombëtare nga Lugina, Nexhmedin Saqipi, ka fajësuar klasën politike shqiptare të Luginës së Preshevës, pasi sipas tij ka bërë gabim që ka kërkuar reciprocitet me serbët e veriut të Kosovës, duke i aktualizuar dhe sensibilizuar kërkesat e tyre për shkëputje, bashkim, autonomi e status special.

Çështja serbe e veriut të Kosovës, sqaron Saqipi, është vënë në axhendë të bisedimeve pas luftës, ndërsa aspiratat e shqiptarëve të krahut lindor të Kosovës, zanafillën e kanë që nga shkëputja e tyre nga trungu etnik dhe aneksimi i dhunshëm, duke u vendosur si qendra rrethi në Serbi.

Andaj, shtron pyetjen Saqipi, si është e mundur të kërkohet reciprocitet në mes një komuniteti serb në Kosovë me një etnitet në Serbi, i cili që nga viti 1992 ka shprehur përmes referendumit vullnetin politik, ka bërë një luftë çlirimtare se në çfarë bashkësie do të jetojë në të ardhmen.

Përveç klasës politike shqiptare të Luginës, Saqipi ka fajësuar edhe shtetin e Kosovës, ngase sipas tij do të jetë paksa e çuditshme se si lidershipi në Kosovë, në njëfarë mënyre ka pranuar idenë e spektrit politik nga Lugina, për një reciprocitet me minoritetin serb, i cili gjithherë ka prodhuar destabilitet, i nxitur nga qarqe të ndryshme të Beogradit.

“Pra, me një fjalë, është marrë si modalitet e keqja, dhuna, rebelizmi për reciprocitet”, ka thënë ai. “Shqiptarët e Luginës janë autoktonë në trojet e tyre etnike. Ata nuk janë ardhacakë nga viset e tjera, por denbabaden jetojnë në këto vise, të cilat, mjerisht, janë cunguar e sakatosur që nga Molla e Kuqe e deri në Bujanoc e Preshevë, dy shtylla që e quajnë veten me të drejtë Kosovë Lindore”, shpjegon Saqipi.

Ky vend strategjik, theksoi Saqipi, që lidh natyrshëm Kosovën me Maqedoninë dhe Serbinë ruan kujtime të hidhura dhe krenare për gjithë ato që ndodhën dhe po ndodhin pa e pyetur popullin e kësaj pjese. “Pavarësisht nga këto prioritete që ka rajoni i Luginës, liderët e saj legjitimë asnjëherë nuk janë ftuar në bisedimet në mes Prishtinës dhe Beogradit, për zgjidhjen e problemeve”, shprehet i brengosur Saqipi, duke sqaruar se “nuk janë ftuar me arsyetimin se mund të nxisin tensione dhe mund të paraqesin pengesa dhe ta dëmtojnë procesin e Kosovës”.

Për t’u dalë hakut peripecive, që ka hequr ky popull gjatë historisë, Saqipi kërkon që liderët e saj legjitimë duhet të marrin pjesë të paktën kësaj radhe në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, për të vendosur për fatin e tyre politik.

“Është e drejtë legjitime e çdo populli të dijë për fatin e tij, andaj edhe shqiptarët e Luginës, duhet të jenë pjesë e bisedimeve për zgjidhjen e problemeve praktike me të cilat po përballen çdo ditë”, theksoi në fund Saqipi.

Top Channel