Kosovë, takime shqiptaro-serbe

02/08/2010 21:05

Një liturgji fetare e mbajtur në kishën ortodokse serbe “Shën Ilia”, në Vushtrri, bashkoi përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Koordinatori i qeverisë së Kosovës për zbatimin e strategjisë për veriun Ylber Hysa dhe sekretari i Ministrisë serbe për Kosovën, Oliver Ivanovic drekuan në kishën ortodokse bashkë me zyrtarë të lartë të klerit serb.

Por pavarësisht se të bashkuar rreth tryezës, pikëpamjet e tyre politike dallojnë shumë. Qeveritarët serbë mohuan se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të lehtësojë marrëdhëniet shqiptaro-serbe.

Oliver Ivanovic madje tha se bisedimet për statusin e Kosovës janë të pashmangshme. “Unë mendoj se bisedimet do të jenë gjithpërfshirëse, ku do të përfshihen shumë tema. Veriu i vendit është temë e cila flitet që nga viti 1999 dhe kështu që nuk mund të përjashtohet si temë e tillë. Unë më shumë mendoj një zgjidhje gjithpërfshirëse. Në këtë moment ekziston vetëm një zgjidhje, e cila është në favor vetëm të shqiptarëve. Natyrisht që secila palë ka qasjen e saj ndaj bisedimeve, mirëpo se cili do të jetë rezultati i këtyre bisedimeve, ate nuk e di askush”, ka deklaruar Ivanovic.

Nga ana tjetër, zyrtari i qeverisë së Kosovës, Ylber Hysa tha se prania e tij në kishën ortodokse serbe nuk duhet të ndërlidhet me situatën politike në Kosovë. Ai tha se me këtë po dëshmon tolerancën ndëretnike dhe fetare që mbizotëron në Kosovë.

“Të gjitha këto manifestime nuk duhet të lidhen me Kosovën dhe qeverinë e saj, që duhet të jetë e qetë dhe mikpritëse. Ky takim ka qenë një lloj demonstrimi për t’u treguar atyre që kanë dilema se shoqëria kosovare është një shoqëri e hapur”, ka pohuar Hysa.

Zyrtarët e qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë nuk kanë qenë mysafirët e vetëm në kishën “Shën Ilia” në Vushtrri. Rreth 200 pjesëtarë të komunitetit serb nga veriu i Kosovës, por edhe nga qendra të ndryshme të Serbisë, kanë festuar këtë të hënë festën e “Shën Ilias”.

Top Channel