Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, takoi sot në Nju Jork sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.
Hyseni dhe Ki Moon kanë folur për një gamë të gjerë çështjesh në lidhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, praninë e UNMIK-ut, zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, njohjet, bashkëpunimin rajonal, veçanërisht në kontekstin e ri që është krijuar pas dhënies së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në këtë takim, Hyseni ka kërkuar zëvendësimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Në këtë kontekst, ministri ka thënë se, kërkesa për zëvendësimin e Rezolutës 1244 nuk drejtohet kundër UNMIK-ut, i cili ka kryer një mision të mirë në Kosovë, por mbështetet në ndryshimin rrënjësor të rrethanave pas shpalljes së pavarësisë dhe pas dhënies së mendimit të GJND-së.
Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i OKB-së ka thënë se, zëvendësimi i Rezolutës është një çështje që duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit, i cili gëzon kompetencat për të vendosur mbi këtë cështje.
Ndër të tjera, ministri Hyseni ka bërë të qartë qëllimin final të Kosovës për t’u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Sekretari Ki Moon, nga ana e tij, ka deklaruar se është në dijeni të aspiratave të shtetit të ri për t’u anëtarësuar në OKB.
Top Channel