
Presidenti francez Nicolas Sarkozy thotë se qytetarëve francezë të lindur jashtë vendit, duhet t’u hiqet shtetësia nëse janë fajtorë për dhunë kundër zyrtarëve të rendit.
Shefi i Elizesë bëri thirrje për këtë masë gjatë një fjalimi në qytetin juglindor të Grenobles, ku këtë muaj, protestuesit dogjën makina, u vunë zjarrin dyqaneve dhe hapën zjarr ndaj policisë, ndërsa protestonin kundër goditjes me armë të një të dyshuari për vjedhje.
Sarkozi, që është vetë bir emigranti, tha gjithashtu se duhet të bëhet më e vështirë për fëmijët e lindur në Francë nga prindër që nuk janë qytetarë francezë që të marrin shtetësinë nëse kanë kryer krime kur kanë qenë të rinj.
Të mërkurën, presidenti urdhëroi policinë që të shkatërronin mbi 300 kampe romësh dhe të përzinte emigrantët e paligjshëm romë si pjesë e një nisme për të luftuar krimin.
Sarkozi i quajti kampet burim trafiku të paligjshëm dhe prostitucioni dhe tha se aty fëmijët shfrytëzohen e kthehen në lypës.
Top Channel