PS: Prifti, Berisha të përgjigjet

31/07/2010 15:35

Partia Socialiste i ka kërkuar sërish kryeministrit Berisha të prononcohet për të sqaruar pasurinë prej 1,8 milionë eurosh të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili sipas selisë rozë i ka siguruar këto para përmes rrugëve korruptive gjatë ushtrimit të pozicionit të tij.

“Vetëm në Shqipërinë e Sali Berishës dhe familjes së tij, ministrat, djemtë, vajzat e kushërinjtë e ministrave dhe kryeministrit mund të vjedhin e të zhvasin pasurinë e një populli të tërë pa u hyrë gjemb në këmbë, të sigurt se gëzojnë mbështetjen e plotë të krye të korruptuarit të këtij vendi, Sali Berishës”, është shprehur deputeti i PS-së, Artan Gaçi.

Sipas PS-së, rasti Prifti është simbol i mënyrës së funksionimit të qeverisjes aktuale.

“Prandaj sot më shumë se kurrë Partia Socialiste kërkon transparencë të gjithanshme: të zgjedhjeve, të ekonomisë, të qeverisjes, të privatizimeve, të pasurisë së ministrave e kryeministrit, sepse pa këtë transparencë nuk ka gjasë që në Shqipëri të ketë demokraci funksionale, zhvillim e mirëqenie dhe shtet të së drejtës për të gjithë”, theksoi Gaçi.

Top Channel