
Pavarësisht vullnetit të shprehur nga Partia Demokratike nëpërmjet sekretarit të grupit Eduart Halimi, për ta emëruar kryetarin e Gjykatës Kushtetuese në gusht, aleatja në qeveri, LSI-ja, shprehet se do të presë presidentin në shtator.
Nëpërmjet deklaratave për shtyp, deputeti demokrat Halimi shprehet se ekzistojnë të gjitha mjetet ligjore për të mbledhur parlamentin në seancë të jashtëzakonshme në gusht, menjëherë pas përzgjedhjes së një kandidati nga presidenti i Republikës.
Por presidenti është shprehur se do ta bëjë këtë në shtator. Dhe në përqasjen e tij për këtë çështje, ai ka mbështetjen e LSI-së.
“Unë në emër të LSI-së deklaroj se raporti mes Presidentit dhe pushteteve të tjera, më konkretisht, mes presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Shqipërisë, mes Presidentit të Republikës dhe qeverisë, mes Presidentit të Republikës dhe organeve të drejtësisë, janë marrëdhënie që ndërtohen mbi bazë të Kushtetutës, që funksionojnë në zbatim të Kushtetutës dhe që duhen vlerësuar dhe gjykuar vetëm në raport apo në funksion të korrektesës së tyre ndaj Kushtetutës së vendit”, është shprehur Luan Rama.
LSI ka mbajtur qëndrime të kundërta me Partinë Demokratike, në favor të tërë emrave të sjella nga Presidenti i Republikës për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë.
Po ashtu, LSI është shprehur kundër ndryshimeve të propozuara nga demokratët në ligjin për SHISH-in.
Por zoti Rama bën kujdes të sqarojë se përkundër disa komenteve të fundit, mazhoranca PD-LSI nuk njeh asnjë ngërc.
Top Channel