
Vetëm për një muaj, përkatësisht për korrikun 27 persona kanë humbur jetën në aksidentet rrugore vetëm dhe 50 të të tjerë janë plagosur dhe janë nën trajtim nëpër spitale të ndryshme.
Këtij bilanci tragjik dhe të frikshëm i shtohen edhe shifrat e larta të 19 shtetasve të cilët janë vrarë me armë zjarri, ekzekutuar për larje hesapesh, apo në debat e sipër për motive banale prej të cilëve gjashtë janë viktima të krimit në familje.
Vrasjet që kanë ndodhur këtë korrik të përgjakshem dhe që policia i ka arkivuar tashmë me termin aq shumë të dëgjuar « për motive të dobta » kanë ndodhur për motive nga sherre mes adoleshentësh për mëri të nisura nga Facebook-u deri tek vrasje për shkak të humbjes së një celulari siç është ajo e një biznesmeni në Durrës.
Por sikur çdo verë tjetër e cila tashmë është kthyer e parashikueshme për policinë, ekzekutimet mafioze për larje hesapesh apo çështjesh të mbetura pezull, korriku ka qenë i ngarkuar me krime të këtij lloji.
Franc Konomi u vra sipas një modeli tashmë të njohur në Shqipëri, në një orar të mbipopulluar me njerëz në çastet që viktima do merrte makinën dy persona me motoçikletë kryen vrasjen dhe lanë policinë në kërkim të gjurmëve.
Pa kaluar shumë ditë prej kësaj, një ekzekutim mafioz ndodhi në Lushnjë ku një 27 vjeçar i njohur me nofkën « Iriqi », person i shoqëruar në komisariat për llogari të hetimeve mbi bandën e Lushnjës u gjet i vrarë.
Gerti Lala ishte qëlluar fillimisht me thikë dhe mandej edhe me armë zjarri.
Edhe biznesmeni Kaçandon Shehaj u ekzekutua në Vlorë në momentin që po parkonte makinën sërish sipas të njëjtave proçedura të kriminalitetit.
Por akoma më i rëndë ka qenë krimi në familje, më tronditësi prej të cilëve ai i ndodhur ne fshatin Samrish të Shkodrës.
Dy gra, nënë e bijë u ekzekutuan nga kryefamiljari pas një grindjeje që mendohet se kishte lidhje me xhelozinë e autorit të krimit. Pjetër Pejolli qëlloi bashkëshorten dhe të bijën 17 vjeçe me armë e mandej i masakroi ato edhe me mjete të ftohta.
Muaji korrik mbyllet kështu me një bilanc të tmerrshëm prej 50 persona të vdekur, me një ditë zie kombëtare sikurse është ajo pas aksidentit fatkeq të Fushë-Arrëzit nga i cili 15 persona nuk i shpëtuan dot vdekjes dhe 20 të tjerë dolën të plagosur.
Por më shumë se këto të dhëna korriku mbyllet me një analizë të munguar prej të cilit do të duhej të reflektohej për të parandaluar krimet, për të ulur shifrat alarmante të aksidenteve vdekjeprurëse në mënyre që kushdo të bëhet pjesë e atyre masave që lënë të kuptosh se jeta e gjithsecilit vlen.
Top Channel