Matura, nxënësit pa përgjigje rrezikojnë vitin

30/07/2010 08:00

Aktualisht numërohen 11 shkolla të mesme që nuk kanë bërë ende publike rezultatet e provimeve me zgjedhje.

Institucionet e prekura janë jo vetëm publike, por edhe private. Ato ndodhen në qytetin e Fierit, Lushnjës, Ballshit dhe në disa rrethe të tjera të vendit. Skandali që përfshiu Maturën Shtetërore të këtij viti, ka krijuar ankth dhe panik te maturantët e prekur, për shkak se nuk dinë ende se me çfarë note janë vlerësuar në testet me zgjedhje.

“Fatkeqët” ndihen të zhgënjyer, por njëkohësisht të nervozuar, për shkak se nuk kanë të drejtë të plotësojnë formularin e preferencave, kriteri bazë për t’u regjistruar në një nga universitetet e vendit.

Në kuadër të rregullores së maturës, nxënësit kanë vetëm katër ditë në dispozicion për plotësimin dhe dorëzimin e formularit A2 në drejtoritë e shkollave përkatëse. Kjo është një nga arsyet pse nxënësit e përjashtuar nga këto lista janë të shqetësuar për fatin e tyre.

Kjo do të thotë që, nëse rezultatet e këtyre të rinjve nuk publikohen deri përpara datës 2 gusht, rrjedhimisht ata do të humbasin të drejtën për të plotësuar formularin A2. Nisur nga këto përllogaritje, konkluzioni është i qartë, këta nxënës rrezikojnë të humbasin vitin akademik. Edhe pse kanë ndjekur me korrektësi çdo “pikë” të Maturës Shtetërore 2009-2010, maturantët janë të detyruar të vuajnë pasojat e një parregullsie, që nuk dihet ende se ku e ka zanafillën.

Ajo që dihet me siguri është se kësaj radhe, faji nuk është i tyre, e megjithatë ata duhet ta mbajnë edhe këtë peshë mbi supe. Nxënësit ndihen të pafuqishëm për ta zgjidhur këtë situatë, edhe pse janë të vetëdijshëm që kjo mund të shkaktojë një dëm të madh në jetën e tyre.

Katër ditë më parë u bënë publike rezultatet e disa maturantëve që nuk ishin të regjistruar në listat e notave të provimeve me zgjedhje, që u publikuan më datë 16 korrik. Rezultatet e tyre si asnjëherë nuk u publikuan në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, por u postuan në adresën e shkollave përkatëse. Notat e afishuara ishin të vogla në numër dhe i përkisnin shkollave, ku mungesat në emra ishin në një përqindje të vogël.

Kjo do të thotë që edhe pse u afishuan disa rezultate, kanë mbetur ende qindra të tjera, pa u bërë publike. Këta maturantë ndihen jo vetëm të përjashtuar, por edhe të zhgënjyer, pasi kanë 15 ditë që janë në pritje të një reagimi zyrtar nga Ministria e Arsimit. Por në të vërtetë, kjo nuk ka ndodhur ende dhe për sa kohë situata do të jetë po e njëjta, maturantët nuk do të kenë asnjë të drejtë për të ndjekur procedurat e Maturës Shtetërore në vijimësi.

Në këtë mënyrë, nxënësve do t’u mohohet e drejta për të listuar degët e preferuara dhe do t’i humbasë shpresa për të nisur vitin akademik njësoj si bashkëmoshatarët e tyre. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, përsëri asnjë deklaratë publike dhe zyrtare nuk është dhënë nga Ministria e Arsimit apo ekspertët e hartimit të politikave dhe menaxhimit të procesit të Maturës Shtetërore.

Top Channel