
Duke folur në Top Story, deputetja socialiste, Valentina Leskaj deklaroi se opozita sipas saj përkundër pretendimeve të mazhorancës ka paraqitur alternativa në Kuvend.
Zonja Leskaj solli shembullin e kalimit të buxhetit ku sipas saj specialistët e opozitës kanë kërkuar një paketa anti-krizë ku t’i ofrohej më shumë ndihmë shtresave në nevojë.
“Ne kemi propozuar, insistuar dhe ne kemi kërkuar një paketë anti-krizë që të shkonte në ndihmë të shtresave në nevojë”, tha Leskaj.
Por nënkryetarin e Kuvendit, Nasip Naço, opozita përveç fjalëve nuk ka paraqitur asnjë alternativë në parlament. Në një vit tha ai PS nuk ka sjellë asnjë kërkesë për miratimin qoftë edhe të një ligji.
“Opozita vetëm fjalën ka dhe nuk ka alternativë. E kishim në komisionin e ligjeve nuk dhanë asnjë lloj alternative. Në një vit nuk ka paraqitur asnjë kërkesë për miratimin e një ligji, për shtresat në nevojë. Opozitë bojkotuse dhe bllokuese, thonë vetëm fjalë dhe asnjë alternativë”, tha zoti Naço.
Më tej i pyetur mbi mënyrën e drejtimit të Kuvendit dhe imazhi i tij përballë publikut, përfaqësuesi i LSI-së tha se parlamenti shqiptar drejtohet në mënyrë korrekte.
“Besoj se Kuvendi drejtohet korrektësisht se ka njerëz korrekt. Në momente të veçanta nuk është e lehtë të drejtosh Kuvendin. Janë një grup deputetësh që duan të duken më shumë seç duhet në sy të kamerave dhe të lidërve të tyre. Ata e bëjnë se ashtu i do elektorati i tyre”, vijoi Naço.
Ndërkaq për deputeten e PS-së, Leskaj, Kuvendi drejtohet sipas dy standarteve dhe e gjithë kjo sipas saj ka ardhur pas ndryshimit të rregullores së Kuvendit.
“Rregullorja e ndryshuar ka prishur sistemin, konsensusin dhe kur në parlament bëhen dy standarte. Do ketë një situatë të tillë në parlament kur në mes të debatit ndërhyn kryeministri dhe provokon. Për mua kolegia Topalli ka dështuar në rolin e drejtimit të parlamentit duke mbetur në rolin e nënkryetares së PD-së”, tha Leskaj.
Top Channel