
Deputetja socialiste, Valentina Leskaj ka kritikuar qeverinë e formuar nga lidhja PD-LSI që sipas saj nuk ka sjellë stabilitet në fushën politike dhe ekonomike.
“Nuk ka shqiptar që nuk e pranon që Shqipëria është në krizë politike. Unë i referohem deklaratës së Këshillit të Europës, Komisionit Europian, Parlamenti Europian apo të gjitha strukturave te BE-së. Jemi në një krizë politike dhe motivet e krizës janë zgjedhjet. Menjeherë pas zgjedhjeve Ilir Meta ka akuzuar Berishën. Që të dalë kush i vodhi zgjedhjet duhet të bëjmë transparencën e zgjedhjeve”, theksoi Leskaj.
Më tej ajo u përqëndrua në situatën ekonomike që po kalon vendi. “Ky buxhet prodhon 17 mijë vende pune më pak. Ky buxhet shpenzimet, te ardhurat dhe investimet i tkurr, rrit borxhin. A ka një shqiptar që mund të jetojë me 3600 leke ndihmë ekonomike? Kjo maxhorancë nuk ka prodhuar stabilitet ekonomik. Dje FMN e ka nxjerrë rritjen ekonomike nën mesataren e rajonit. Janë të shumta problemet që lidhen me buxhetin dhe situatën ekonomike”, shtoi deputetja socialiste.
Leskaj komentoi edhe dhunën e shfaqur në kuvend nga deputetët, duke theksuar se dhuna në parlament është provokuar për të hequr vëmendjen nga buxheti. “Në vend që të vihej qeveria në dietë janë vënë shqiptarët në dietë. Nuk është diskutuar fare buxheti nen për nen dhe kjo është një krizë shumë e rëndë e parlamentit. Cështja e dytë ishte cështja e ligjit për SHISH që ra për shkak të mungesës së votave. Ne kemi qënë shumë aktivë në komisione dhe shumë aktivë në parlament për të diskutuar për cfarëdo ligj dhe maxhoranca e ka pritur me bezdi të madhe këtë”, vijoi Leskaj.
Top Channel