Kushtetuesja, PD përplaset me presidentin

28/07/2010 14:20

Partia kryesore e mazhorancës është përplasur sot me presidentin e Republikës, lidhur me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Deputeti i PD, Halimi akuzoi kreun e shtetit se ka shkelur Kushtetutën duke mos bërë emërimet e gjyqtarëve që u ka mbaruar mandati.

“Në Shqipëri ka ndodhur një ngjarje e rëndë. Kreu i shtetit ka shkelur rëndë Kushtetutën duke mos ushtruar detyrimin kushtetues për emërimin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, emërim që duhej të ishte që prej datës 4 qershor. Kjo përbën një akt të rëndë dhe të paprecedentë në të gjithë historinë e shtetit shqiptar”, ka deklaruar Halimi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidencës, e cila ka theksuar se presidenti Topi po vepron në respekt të plotë të Kushtetutës dhe me transparencë të plotë.

Këshilltari juridik i kreut të shtetit, Spiro Peci është shprehur se vonesat në mosemërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese kanë ardhur si pasojë e burokracive të Parlamentit dhe jo për faj të presidentit.

“Nga 9 kandidatë të Kushtetueses, vetëm 4 prej tyre u ka mbaruar mandati. Asgjë nuk e pengon presidentin të zgjedhë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Por përpjekjet nuk kanë të bëjnë vetëm me presidentin, pengesat janë nga burokracia e Kuvendit”, ka deklaruar Peci.

Ai ka theksuar se presidenti është i angazhuar për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kushtetueses dhe ka saktësuar se edhe anëtarët e rinj do të zgjidhen brenda shtatorit, kur fillon dhe sesioni i ri parlamentar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA