
Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka deklaruar se buxheti i ri duhet të mbërrijë në dyert e kabinetit të tij më 1 shtator dhe brenda këtij muaji të kalojë më pas në Parlament.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Berisha ka theksuar se ky buxhet ka përparësi ndihmën sociale për shtresat e varfëra, që ka qenë dhe një nga premtimet kryesore të koalicionit.
“Buxheti duhet të dorëzohet në qeveri më 1 shtator dhe brenda këtij muaji qeveria duhet ta dërgojë në Parlament. Buxheti i vitit të ardhshëm është një buxhet përcaktues në zbatimin e programit të koalicionit qeveritar. Ky buxhet duhet para të gjithave t’i qëndrojë parimit të zemrës së dhimbshme, parimit të qeverisë së shërbesave dhe shërbimeve, pra të përmirësojë më tej frymën sociale, qëndrimin e njerëzishëm të qeverisë ndaj 800 e 20 mijë familjeve shqiptare”, ka pohuar Berisha.
Kryeministri ka rikonfirmuar planin e ekzekutivit të tij për rritjen e rrogave dhe pensioneve, duke saktësuar se fondi për pensionet në 5 vitet e fundit është dyfishuar.
“Rritja e rrogave dhe pensioneve do të jetë sërish në axhendën e kësaj qeverie. Mbajtja e këtij premtimi ka bërë që sot fondi për pensionet, nga 50 miliardë lekë që ishte në 2005, sot të jetë 109 miliardë”, ka nënvizuar Berisha, duke iu përgjigjur edhe akuzave të opozitës që e konsideron rritjen e rrogave dhe pensioneve të papërfillshme.
Kreu i qeverisë ka shtuar gjithashtu se do të vazhdojë programin për përmirësimin e gjëndjes sociale të familjeve shqiptare.
“Të dalësh dhe ta shpallësh rritjen e presioneve një akt kriminal do të thotë të kesh humbur dhimbshurinë. Kjo është. Buxheti do forcojë më tej fytyrën sociale të kësaj qeverie. Ne jemi ata që kemi dyfishuar fondet ekonomike për invalidët. Iu kujtoj kritikëve tanë, se jo tani por në 2007-ën në raportin e KE thuhet se qeveria ka rritur mbështetjen ekonomike për njerëzit në nevojë dhe kjo do të vazhdojë”, ka shtuar Berisha.
Ai ka përsëritur edhe njëherë se Shqipëria nuk është prekur nga kriza ekonomike ndërkombëtare dhe se ekonomia e vendi nuk ka hyrë asnjëherë në recesion, duke njohur vetëm rritje.
Top Channel