
Përveç nxënësve që janë ende të pavendosur për të plotësuar formularin A2, origjinalin, numërohet një numër i konsiderueshëm maturantësh që kanë bërë përzgjedhjen definitive të degëve të preferuara.
Duke filluar nga dita e enjte e javës që lamë pas, drejtoritë e shkollave të mesme kanë hapur dyert për të pritur nxënësit që kanë nevojë për të dhëna mbi plotësimin e formularit të preferencave.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka vënë në dispozicion të maturantëve mësuesin kujdestar përkatës për të këshilluar dhe sugjeruar të rinjtë mbi përllogaritjet që duhet të bëjnë përpara se të plotësojnë origjinalin.
Nxënësit pohojnë se rekomandimet e mësuesve gjatë këtyre ditëve kanë qenë efektive, pasi në momente të tilla tensioni, kanë qenë ata që ia kanë mbledhur pikët në total secilit maturant, duke u lehtësuar ankthin dhe duke i orientuar për të përzgjedhur degët ku probabiliteti për të fituar është më i madh.
Llogaritja e pikëve realizohet nëpërmjet rezultateve të 4 provimeve të MSH-së dhe notës mesatare të viteve të shkollës së mesme, e cila është e pasqyruar në dëftesën e pjekurisë së maturantit dhe e konfirmuar nga drejtori i gjimnazit.
E megjithatë, një tjetër përcaktues në përzgjedhjen e degëve është edhe koeficienti i shkollës, i cili i ndihmon maturantët të orientohen dhe të bëjnë zgjedhjen e fakulteteve që përafrohen me profilin e shkollës së tyre.
Kjo do të thotë që, nëse një maturant e ka përfunduar arsimin e mesëm në shkollën “Hoteleri-Turizëm”, nuk është i preferuar për të ndjekur programin e studimit: Inxhinieri Elektronike.
Nisur nga kjo, nxënësi mund të kuptojë fare qartë që koeficienti i gjimnazit nuk e favorizon aspak për të pasur mundësi të ndjekë këtë degë.
Tashmë të gjitha formulat janë konkrete, kështu që nxënësit duhet të tregohen të kujdesshëm për të mos gabuar, sepse nëse ndodh kjo, nuk do të kenë më një shans të dytë për ta rikuperuar.
Top Channel