
Që prej orës 10.30 Parlamenti është mbledhur në seancë plenare, duke diskutuar për buxhetin e ndryshuar. Lajmi ështe se ndryshimet e shumëdebatuara në ligjin për organizimin e Shërbimit Informativ Shtetëror nuk do të diskutohen në këtë seancë.
Kjo tingëllon si një tërheqje e përkohshme nga ana e mazhorancës. Por amendamenti i propozuar nga deputeti demokrat Fatos Hoxha, që fut vetëm kufizimin e mandatit të drejtorit të SHISH-it, mësohet se nuk është tërhequr nga mazhoranca, ndonëse Komisioni i Sigurisë Kombëtare e ka hedhur poshtë.
Ligji për SHISH-in u tërhoq që në seancën e shkuar kur jo vetëm socialistët, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi se koha për kalimin e tij ishte e papërshtatshme, pasi duhej të përfundonte kunsultimi me NATO-n.
Më pas, kundër cdo ndryshimi që nuk merr miratimin e Aleancës, u shpreh edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi.
Kurse kryetari i LSI-së Ilir Meta, pas seancës së fundit, u shpreh gjithsesi dakort për kufizimin e mandatit të drejtorit të SHISH, i cili aktualisht ka një mandat të pakufizuar. Kjo është seanca e fundit e Parlamentit për këtë legjislature dhe duket se ligji i shumedebatuar per SHISH-in do t’i mbetet legjislatures se ardhshme.
Top Channel