Kapshticë, fluks emigrantësh në doganë

26/07/2010 08:15

Fluks emigrantësh në pikën doganore të Kapshticës. Këtë fundjavë kanë hyrë nga Greqia për në Shqipëri më shumë se 3600 udhëtarë, kryesisht emigrantë që vijnë me autoveturat e tyre.

Në Doganën e Kapshticës janë regjistruar afro 1200 automjete, pjesa më e madhe e të cilave autovetura, por edhe autobusë të linjave Athinë-Korçë dhe Selanik-Korçë.

Burime të policisë kufitare në Kapshticë thanë se hyrja e më shumë se 3600 emigrantëve gjatë ditës së diel ka shënuar një rritje të ndjeshme të të ardhurve nga Greqia për pushimet e verës dhe një fluks të udhëtarëve.

Për të përballuar në kohë sa më të shkurtër fluksin dhe shmangur radhët e gjata të njerëzve e automjeteve, në Doganën e Kapshticës ditën e diel është punuar me 6 sportele në hyrje.

Edhe pse numri i të ardhurve ka qenë në rritje, nuk janë krijuar radhë dhe pritje për emigrantët në sportelet e doganës.

Procedurat e kalimit të kufirit kryhen në një kohë sa më të shkurtër, sepse nga ana e policisë kufitare shqiptare procedohet vetëm me vendosjen e vulave hyrëse.

Gjatë muajit korrik, nga kjo pikë e kalimit kufitar kanë hyrë afro 1500 persona çdo ditë, një numër ky lehtësisht i përballueshëm nga policia kufitare për të mos krijuar probleme në qarkullimin e tyre.

Sipas autoriteteve të policisë kufitare në këtë doganë, numri i emigrantëve pritet të vijë në rritje gjatë muajit gusht dhe kjo është vënë re që këtë fundjavë me dyfishimin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA