Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell nuk e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës për veriun e shtetit të ri.

Gjatë një fjalimi në Uashington, Dell ka nënvizuar se edhe kryeministri kosovar Hashim Thaci është shprehur i gatshëm që në mënyrë “kreative” të shqyrtojë opsionet për zgjidhjen e problemit të veriut.

“Kam dëgjuar kryeministrin Thaci, të paktën një herë publikisht dhe disa herë privatisht, të thotë se është i gatshëm të shqyrtojë mënyrat në bazë të të cilave mund të respektohet natyra e vecantë e veriut, në kufijtë e shtetit të Kosovës”, ka pohuar Dell.

Sipas tij, në Evropën e shekullit të 21-të duhet të ketë vend për një status të vecantë. “Ndoshta “status” është një fjalë e gabuar, por kam menduar për një model si ai i Belgjikës, Tirolit Jugor dhe shumë zonave të tjera të Evropës”, ka deklaruar Dell.

Megjithatë, ambasadori ka theksuar se fjala për këtë cështje i takon vetëm Prishtinës dhe Beogradit dhe se ai nuk mund të shprehet në emër të tyre.

Top Channel