Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë pro ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shuan çdo dyshim se pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës po vjen fundi.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi pas kthimit të tij nga Nju Jorkut, tha në Prishtinë se vendimi i GJND-së ka zbutur edhe qëndrimin e politikës së Beogradit karshi shtetit të Kosovës. Ai tha se, kjo i është kumtuar nëpërmjet diplomatëve ndërkombëtar.

“Opinionet të cilat kam edhe nga miqtë ndërkombëtarë janë ka filluar të ndryshohet pavarësisht nga deklarimet publike, në raportet më Kosovën. Por përpjekjet desktruktive nuk do të ndalen. Tani Beogradi e ka të qartë njëherë e përgjithmonë statusin e Kosovë. Kosova është shtet i pavarur e sovran e do të funksionojë përjetësisht kështu”, tha kryeministri Thaçi.

Duke lavdëruar angazhimin e kryediplomatit kosovar Skënder Hyseni, kryeministri Thaçi tha se shumë shpejt do të ketë njohje për Kosovën. Sipas tij, vendimi pozitiv i GJND-së do të ndikoj veçmas në 5 shtetet e BE-së të cilat ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Pavarësisë së mbikëqyrur është duke i ardhur fundi suksesshmëm duke u nisur që nga progresi që kemi patur në Kosovë, qoftë me qeverisjen e mirë e efektive të sundimit të ligjit dhe të luftimit të dukurive negative, por edhe të marrjes së autoritetit që na takon. Deklarimet mbështetëse nga Uashingtoni dhe shumica e BE-së se ky proçes duhet të shkojë drejt mbylljes nuk e përjashton mundësinë e vazhdimit të angazhimeve tona për të funksionuar si shteti i pavarur me mbështetje ndërkombëtare dhe jo mbikqyrje”, tha më tej Thaçi.

Kryeministri kosovar theksoi se SHBA-të mbeten aleatët më të fuqishem të Kosovës. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Bashkimi Europian vazhdojnë të shprehin përkrahjen e fortë të tyre ndaj shtetit të Kosovës.

Shefi i qeverisë kosovare ripërsëriti se, lufta ndaj korrupsionit mbetet angazhimi kryesor i qeverisjes së tij. Ndërkohë, duke folur rreth arrestimit të guvernatorit të Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi kryeministri Thaçi tha se njëherë e përgjithëmonë duhet ndarë politika nga sistemi i drejtësisë.

Sipas tij, askush nuk është mbi ligjin dhe të gjitha ata që e shkelin atë do të përballen me drejtësinë.

Top Channel