Fier, dhjetëra biznese, borxhe te bankat

25/07/2010 08:10

Kriza ekonomike ka sjellë pasoja të rënda te subjektet e biznesit të madh dhe të vogël në Fier.

Shumë prej tyre janë në dilemë për vijimësinë e aktivitetit, pasi nuk kanë mundësi të shlyejnë kreditë që kanë përfituar për mëkëmbjen e biznesit. Ndërkohë që për vitin 2010, niveli i dhënies së kredive nga filialet e bankave që operojnë në Fier është pothuaj zero.

Burime zyrtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Fier, pohojnë se një numër i madh biznesesh kanë raportuar se po falimentojnë dhe e kanë të pamundur pagesën e interesave dhe kësteve të kredive. Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Fier, Shezai Çobo, shumica e bankave që operojnë në Fier, por edhe në të gjithë vendin, kanë ende frikën dhe problemin evident të mosshlyerjes së kredive.

“Është fakt dhe duhet pranuar se dhjetëra biznese kanë ende kredi të pashlyera, gjë e cila vë në kushte të vështira bankat dhe i pengon ato të jenë “dorëlëshuara”. Nga takimet që kemi zhvilluar me përfaqësues të bizneseve, na kanë shprehur shqetësimin se nuk kanë mundësi për shlyerjen e kredive. Kriza për to ka nisur që nga fundi i vitit të kaluar, ndërsa është thelluar gjatë muajve të parë të këtij viti”, është shprehur kreu i përfaqësuesve të bizneseve të Fierit.

Janë 80 biznese që nuk kanë mundur të shlyejnë kreditë e priten që të përballen tashmë me Zyrën Përmbarimore, e cila do të ekzekutojë vendimet për bllokimin e pasurive të tyre. Ndërkohë shumë biznese të Fierit po përballen sot me frikën e krizës ekonomike. Efektet e pasigurisë pasqyrohen te kreditimi i ulët i bankave për këtë vit.

Dhoma Rajonale e Tregtisë dhe Industrisë së Fierit, nisur nga ankesat e shumë bizneseve, ka ngritur si shqetësim mungesën e kreditimit të bankave, të cilat gjatë kësaj periudhe duhet t’i japin një impuls të ri biznesit në kreditime. “Kreditimet e bankave, gjatë këtij viti, kanë qenë në kuota të ulëta për të mos thënë në nivelet zero. Ky është një shqetësim për biznesin e Fierit. Edhe ato pak kreditime që janë kryer, kanë pasur interesa të larta dhe janë cilësuar të papërballueshëm nga bizneset, qofshin këto subjekte të biznesit të madh apo edhe atij të vogël” ka thënë kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Fier, Shezai Çobo. Më tej, ai ka bërë një apel për bankat, që të ndihmojnë biznesin në përballimin e situatës. “Bankat duhet të kreditojnë më shumë biznese dhe duhet ulur më shumë interesi i këtyre kredive. Pra, interesat nuk duhet të jenë si ato aktualet që janë të papërballueshme për të gjitha llojet e bizneseve”, apelon Çobo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA