Bien të ardhurat nga taksat

25/07/2010 17:45

Financat e shtetit janë vënë në pikëpyetje jo vetëm nga rritja e shpenzimeve të qeverisë, por edhe për shkak të një dukurie tjetër edhe më shqetësuese, që ngre të tjera pikëpyetje për qëndrueshmërinë e buxhetit.

Në vitin 2009 të ardhurat e mbledhura nga taksat në raport me produktin e brendshëm bruto, ranë për herë të parë që nga 2003-shi. Sipas të dhënave zyrtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar, vitin e kaluar qeveria mblodhi nga taksat në dogana dhe tatime 23.5 lekë për çdo 100 lekë që qarkulloi në ekonomi ose 0.8 pikë përqindje më pak se sa në 2008-ën.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave parlajmërojnë se kjo tendencë do të vazhdojë edhe për këtë vit. FMN parashikon se të ardhurat e mbledhura nga taksat për vitin 2010 në raport me Produktin e Brendshëm Bruto do të bien në nivelin 22.9 përqind, më i ulëti që nga viti 2006, përpara se të hynte në fuqi taksa e sheshtë.

Rënia e të ardhurave nga taksat do të thotë se ne ekonomi po rritet informaliteti, një gur beteje të cilin kryeministri e ka përdorur fort katër vitet e kaluara duke e cilësuar shpesh si një nga sukseset më të mëdha të qeverisë së tij.

Dy vitet e fundit, janë vitet me ecurinë më të dobët të mbledhjes së taksave, që nga 2003. Ekspertët thonë se shkaqet janë disa, që nga kriza e deri tek rritja e informalitetit, pasi bizneset në kohë krizash priren të fshehin të ardhurat.

Tashmë që borxhi publik është rritur, tkurrja e të ardhurave ngre pikëpyetje jo të vogla mbi qëndrueshmërinë financave të shtetit. Një shqetësim ky që po artikulohet fort së fundmi nga institucionet ndërkombëtar që monitorojnë ekonominë. Madje FMN shkon deri aty sa të parlajmërojë se rritja e shpenzimeve të buxhetit, mund të vërë në pikpëpyetje bazën e sistemit tatimor në Shqipëri, taksën e sheshtë në nivelin 10 për qind, një nga reformat më të rëndësishme të qeverisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA