SHISH, Meta bashkohet me Berishën

24/07/2010 20:05

Për ndryshimin e ligjit të shërbimeve sekrete, Sali Berisha dhe Ilir Meta ndajnë të njëtin parim, se drejtorit të SHISH i duhet përcaktuar kohëzgjatja e mandatit, gjë që mungon në ligjin aktual.

“Në këtë vend nuk do ketë zyrtarë pa mandat. Vendet e NATO-s kanë të gjithë zyrtarët me mandat. Mandatet janë një normë dhe standart në vendet demokratike”, ka deklaruar Berisha.

“Është tepër parimore që cdo zyrtar i lartë të ketë mandat të përcaktuar. Kjo vlen edhe për institucionin e SHISH”, ka pohuar Meta.

Por ajo që duket se i ndan dy të mëdhenjtë e koalicionit qeveritar është koha dhe mënyra sesi duhet bërë kjo. Numri dy i qeverisë thote se duhet pritur një opinion nga NATO.

“Ky afat të jetë në kuadër që garanton qëndrueshmëri dhe pavarësinë e këtij institucioni. Unë kam theksuar rëndësinë që cdo ndryshim të bëhet në konsultim me Aleancën”, ka theksuar Meta.

Ndërsa kryeministri Berisha nuk u prononcua nëse amendamenti i rrëzuar nga komisioni i sigurisë edhe me tre votat e demokratëve, do të kalojë apo jo të hënën në votim. Kreu i qeverise e la këtë në cmimin e Parlamentit.

Nëse mazhoranca do të jetë e tillë të hënën, nuk do të jetë surprizë hedhja për votim e amendamentit që kufizon në 5 vjet mandatin e drejtorit të SHISH-it. Në këtë rast, votat e pranishme të LSI-së do të jenë kundër.

“Unë besoj se procesi i konsultimeve me Aleancën do vijojë në mënyrë konstruktive. Qëndrimi ynë është i qartë dhe parimor”, ka nënvizuar Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA