Sarandë, të rinjtë që përfundojnë në spitale

24/07/2010 08:20

Emra banorësh dhe pushtuesish që u përkasin të tria moshave, figurojnë në regjistrin e repartit të urgjencës së spitalit “Petro Nako” të Sarandës në këtë stinë vere. Për bluzat e bardha që japin kujdes shëndetësor, dita dhe nata kanë një ngarkesë gati të njëjtë.

Gjatë ditës na thonë se pacientët janë kryesisht të moshave pediatrike dhe të moshuar. Ata kërkojnë ndihmën e parë, për shkak të virozave dhe shqetësimeve të krijuara nga vapa. Ndërsa rezulton se rastet më të shumta që paraqiten për të marrë këtë ndihmë gjatë natës, vijnë nga diskotekat.

Sipas shefit të shërbimit të urgjencës, Niko Kuri, ngarkesa e shtuar e rasteve, me të cilat përballen ata që shërbejnë në urgjencën “Stefan Mekshi”, janë rastet që kryesisht trajtohen për virozat stinore dhe nga konsumimi pa kriter i pijeve alkoolike. Infermieri Dritan Selmani tregon se, megjithëse nuk janë shënuar raste ekstreme, nuk kanë munguar të rinj që janë trajtuar për të dalë nga gjendja e dehjes nga teprimi me pijet.

Duke njohur veçorinë e sezonit veror, që shoqërohet edhe me shtim të rasteve emergjente, shërbimi në urgjencën e spitalit të Sarandës është organizuar me sistem 24-orësh, duke mos munguar as mjeku në asnjë orë të ditës për të tre tetorëshat. Krahasuar me një vit më parë, rezulton se janë shënuar më pak raste dëmtimesh në plazhe dhe në aksidente automobilistike, ndërkohë që qëndrojnë në të njëjtat nivele edhe rastet e dehjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA