Ka përfunduar seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi.

Avokati i zotit Rexhepi, Ramë Gashi tha për Top Channel nëpërmjet telefonit se Prokurori Prokurorisë Speciale të Kosovës Nazmi Mustafi pretendon se guvernatori i BQK-së Hashim Rexhepi ka kryer vepra penale që ndërlidhen me shpërdorim të detyrës zyrtare, shmangie nga tatimi, marrje ryshfeti etj.

Të gjitha këto sipas palës mbrojtëse dhe sic kishte deklaruar edhe kryeprokurori në seancë, kanë të bëjnë me periudhën 2002- 2007, kohë kjo kur Hashim Rexhepi nuk ishte Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Merret vesh se prokuroria ka prezantuar pak fakte konkrete, por kryesisht bëhet fjalë për disa prona në Shqipëri të cilave nuk u dihen burimet financiare, punësim të paligjshëm etj. Bazuar në faktin se zoti Rexhepi është emëruar Guvernator i Bankës Qendrore në vitin 2008, pala mbrojtëse i quajti inekzistente akuzat që e rëndojnë atë për shkak se sic thuhet në vitet 2002- 2007, kohë kjo për të cilën flet prokuroria Hashim Rexhepi nuk ka pasur rol vendimmarrës në Bankën Qendrore. Edhe zoti Rexhepi, sipas avokatit Gashi është i habitur me akuzat e ngritura ndaj tij.
 

Top Channel