Muzeu i Kamenicës, do të mbyllet apo jo

24/07/2010 08:00

Muzeu natyror i Tumës ilire të Kamenicës është mbyllur. Shkaqet, ende nuk dihen ose janë thjesht të paqarta. Askush nuk merr përsipër të tregojë se çfarë po ndodh realisht me “muzeun” e quajtur ose vetëquajtur kështu, të tumës ilire të Kamenicës.

Pasi u bë i ditur lajmi i mbylljes së muzeut të Kamenicës, në pikun e sezonit veror, përmes një artikulli në gazetën “Shqip” prej gazetarit Ilir Mati, ne u interesuam për atë se çfarë ka ndodhur realisht.

Në shkrim mësohet se ka qenë Drejtoria e Tatim-Taksave të qytetit të Korçës që e ka mbyllur muzeun. Por nga ana e tyre, Drejtoria e Tatim-Taksave në Korçë mohon ta ketë bllokuar dhe mbyllur Muzeun natyror të Tumës së Kamenicës.

Sipas drejtorit Bujar Voci nuk ka pasur zyrtarisht një mbyllje të këtij muzeu dhe në rast se do të kishte një të tillë, objekti do të ishte rrethuar me shirita. Dega e Tatim-Taksave, sipas të dhënave nga zyrat e kësaj dege, ka pasur një ankesë lidhur me funksionimin e muzeut dhe dokumentacionit për pagesën e biletës, por deri më tani nuk rezulton të jetë marrë një vendim për bllokimin e aktivitetit.

“Nuk kemi dijeni për mbylljen e muzeut në fjalë. Kjo nuk është kryer nga dega e tatim-taksave” thotë Bujar Voci. Nga ana tjetër, sipas të dhënave nga muzeu arkeologjik i Korçës, objektet që disponon Tuma e Kamenicës dhe të cilat janë autentike dhe origjinale, ndodhen në kryeqytet dhe nuk ka pasur një transferim të maketeve të muzeut të Kamenicës. Të kundërtën thotë arkeologu Lorenc Bejko, pjesë e fondacionit “PACARD” (që ka financuar për çeljen e muzeut të Kamenicës) si dhe drejtor i Grupit Arkeologjik të Shpëtimit. Sipas tij, ka qenë pikërisht Zyra e Tatimeve të Korçës ajo që ia ka vënë drynin këtij muzeu.

“Ata pretendojnë se promovimi i kulturës është aktivitet i palicencuar. Këtë e bëjnë nën presionin e Neritan Cekës (arkeolog, aktualisht këshilltar i Kryeministrit për trashëgiminë kulturore). Kjo histori ka nisur që kur unë kam kundërshtuar fort propozimet e tij dhe Apolon Baçes për reformimin e sistemit të trashëgimisë. Qendra e promovimit të Tumës së Kamenicës bëhet nga një OJF, rregullisht e regjistruar në gjykatë dhe në zyrën e tatimeve dhe kryen aktivitet jofitimprurës. Ç’të të them! Turp i paparë”, shprehet i indinjuar ai.

I kontaktuar në telefon, Neritan Ceka shprehet se ai nuk gjendet në Shqipëri. Prej fillimit korrikut ai ndodhet në Berlin dhe do të kthehet në fund të këtij muaji, duke nënkuptuar se ai nuk është në dijeni të asaj që ka ndodhur me mbylljen e muzeut të Kamenicës. Ndër të tjera, Bejko shpjegon se një problem, nëse mund të quhet kështu i këtij muzeu privat, është kërkesa që muzeu të marrë statusin e një muzeu vendor.

Sipas tij, kanë nisur të gjitha procedurat dhe janë ende në pritje të një vendimi, i cili do të merret prej Këshillit Shtetëror të Muzeve. Burime nga Ministria e Kulturës, Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore, ndërkaq bëjnë me dije se nga Komuna Mollat e Rrethit të Korçës ka ardhur një kërkesë për statusin e këtij muzeu, i cili pasi të shqyrtohet, do t’i kalojë Këshillit të Muzeve. Ndërkaq, po nga kjo drejtoi bëhet e ditur se Muzeu i Kamenicës nuk njihet me këtë emërtim, pra nuk është një muze privat, por njihet thjesht si siti arkeologjik i Kamenicës. Historia e ndërlikuar e Muzeut të Tumës ilire të Kamenicës, shpallur monument kulture para rreth dy vitesh, të ngjan me një lojë pingpongu, ku asnjë nuk dëshiron të tregojë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Problemi i vetëm dhe sigurisht edhe më i rëndësishmi është se gjendemi në pikun e sezonit turistik dhe ashtu siç na e përshkruan Ilir Mati, turistët presin pas portave për ta vizituar këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Ç’do të ndodhë?

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA