
Kryeministri Sali Berisha në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili ndodhet për vizitë jozyrtare në Tiranë deklaroi se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
“Shqipëria dhe Kosova do të bëjnë përpjekje për të shtuar numrin e vendeve që do të njohin pavarësinë e shtetit më të ri në Ballkan. Serbia duhet të reagojë në lidhje me qëndrimin e saj ndaj Kosovës”, u shpreh Berisha, duke theksuar se kusht për paqen dhe stabilitetin në Ballkan është respektimi i kufijve aktualë.
Nga ana e tij presidenti Sejdiu deklaroi se opinioni i Gjykatës i hap rrugën integrimit të të gjithë shtetasve kosovarë.
“Kosova dëshiron raporte të mira fqinjësore me Serbinë, si dy shtete të barabarta. Integriteti i Kosovës është i pacënueshëm”, tha Sejdiu.
Top Channel