Ky fond ishte miratuar kohë më parë nga këshilli bashkiak, por nuk kishte shkuar në destinacion. Më shumë siguri jete ofrohet tani për frekuentuesit e plazheve publikë të Sarandës.
Këtë e garanton mbështetja financiare, e dhënë nga bashkia e këtij qyteti, për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të rojës bregdetare. Ditën e djeshme është bërë e ditur se financimi prej 7.8 milionë lekë të vjetra, i destinuar për herë të parë për rojet detare, është vënë në dispozicion të këtij shërbimi. Drejtori i Drejtorisë së Turizmit në këtë bashki, Aristotel Bita, thotë për “Shqip” se ky fond ishte miratuar kohë më parë nga këshilli bashkiak, por nuk kishte shkuar në destinacion. Sipas tij, kjo kishte vënë në dyshim dhe kishte ngurtësuar funksionimin e rojës bregdetare në këtë qytet, megjithëse ishte ngritur shkolla e përgatitjes së rojeve “bay watch”, nga Florian Nakuçi.
Mbështetja që i është dhënë shërbimit të rojës bregdetare në hapësirën detare të Sarandës, përbën risinë e këtij sezoni. Bita thotë se me fondin e lëvruar për këtë shërbim plotësohet një detyrim i rëndësishëm që i ngarkon qeverisjes vendore. Prej tij janë nxjerrë detyra për organizimin e rojës bregdetare edhe për rregullimin e hyrje-daljes së mjeteve të ujit në hapësirën detare të Sarandës. Bita thotë se janë konsumuar rreth 2 milionë lekë të vjetra për të bërë kufizimin e hapësirës së plazheve publike, në 1260 metra shtrirje lineare. Kësaj i shtohen edhe 1300 metra të tjera rrethime që janë bërë nga vetë biznesi, kryesisht hotelier. Presidenti i “Life Guard Albania”, Florian Nakuçi, thotë se dhënia, dhe tani edhe zhbllokimi i financimit për rojën bregdetare, është një hap i parë për veprimin e motivuar të 5-6 “bay watch”-ve të trajnuar nga ana e tij.
“Pas eksperiencës disavjeçare të fituar në plazhet e Durrësit e Golemit nga ana jonë këtë verë kjo mundësohet edhe në Sarandë, në qytetin nga unë jam, çka do të bëjë efektive kujdesjen e ekipeve tona për jetën e pushuesve dhe vendasve në plazhet publikë të qytetit të turizmit”. Po dje ata kanë bërë një demonstrim të aftësive shpëtuese në det. Gjysma e financimit prej 7.8 milionë lekë të vjetra do të përdoret për ngritjen e tri kullave të vrojtimit në pikat më zotëruese në qytet dhe pjesa tjetër për pagat e të punësuarve sezonalë në shërbimin “bay watch”.
Top Channel