Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur vlerësimin dhe mbështetjen e tij ndaj vendimit të GJND-së mbi pavarësinë e Kosovës.

Përmes zëdhënësit të tij, P.J Crawley, DASH u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të unifikojnë qëndrimin lidhur me Kosovën.

“Vendimi i GJND-së ripohon me forcë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte legjitime. Ky është një vendim që SHBA e mbështesin. Tani ka ardhur koha që Evropa të bashkohet rreth një të ardhmeje të përbashkët”, ka deklaruar Crawley.

Nga ana tjetër, edhe zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden, në një bisedë me presidentin serb Boris Tadic ka shprehur mbështetjen e SHBA ndaj Kosovës.

Biden ka deklaruar se qëndrimi i Amerikës ndaj cështjes së sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nuk ndryshon dhe i ka bërë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë për cështjet teknike.

Top Channel