Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar se vendimi i GJND-së në favor të Kosovës ishte i pritshëm.

Në reagimin e tij, Krasniqi është shprehur se ka mbetur i befasuar nga opinioni “konkret dhe i drejtpërdrejtë” i gjykatës së Hagës.

“Sot për qytetarët e Kosovës, për institucionet e Kosovës dhe për ne si përfaqësues të popullit është një ditë e rëndësishme. Një ditë që hap perspektiva dhe njohje të reja dhe që krijon një pozicion të avancuar të Kosovës në komunitetin ndërkombëtar”, ka pohuar Krasniqi.

Ndërsa zëvendëskryeministri Hajredin Kuci ka deklaruar se pas vendimit të GJND-së, askush në botën demokratike nuk ka më arsye që të pengojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare.

Sipas tij, edhe anëtarësimi i shtetit të ri në radhët e OKB-së është vetëm cështje kohe. “Unë besoj se tashmë janë hapur rrugët dhe është vetëm cështje kohe e proceduriale anëtarësimi i Kosovës në OKB”, është shprehur Kuci.

Top Channel