Vizita, akuza Cherie Blair

21/07/2010 21:05

“Blair-ët po turpërojnë Britaninë e Madhe”. Kështu thotë gazeta britanike “Daily Mail”, e cila iu referohet vizitave të shumta të ciftit dhe shpenzimeve marramendëse të tij.

Gazeta i referohet takimit të Tony Blair me kolonelin Muamar Gheddafi, si dhe vizitës së bashkëshortes së tij Cherie në Shqipëri me avionin e biznesmenit Rezart Taci.

Organi mediatik shkruan se Cherie Blair përgëzoi për lirinë e medias Tacin, gjatë një ceremonie në televizionin “Alsat”, edhe pse ai është në gjyq për rrahjen e një gazetari.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i familjes Blair ka deklaruar se gruaja e ish-kryeministrit ishte ftuar në Tiranë nga bashkëshortja e kryeministrit shqiptar, Liri Berisha.

Por megjithatë e përditshmja tregohet tepër kritike ndaj ciftit Blair. “Nuk është vetëm reputacionin e tyre që po hedhin në kanal, por edhe atë të Britanisë së Madhe. Tony Blair po dëmton detyrën e tij si i dërguar në Lindjen e Mesme”, shkruan “Daily Mail”.

Gazeta thotë më tej se edhe shpenzimet e Tony dhe Cherie në hotelet e shtrenjta gjatë udhëtimeve të tyre shkojnë në 6 milionë paund. “Përse duhet të paguajmë ne për këta njerëz të pasur?”, thuhet më tej në artikull.

Top Channel