Përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë vlerësuan të hënën në Mitrovicë se gjendja e përgjithshme në komunë gjatë dy javëve të fundit ka qenë e qetë.

Në takimin e rregullt të Komitetit Lokal për Siguri Publike, sipas Telegraf, kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati, tha se gjatë dy javëve të fundit nuk është shënuar asnjë incident i rëndë që do të ndikonte në përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në komunë dhe kjo është para së gjithash meritë e vetë qytetarëve të komunës, të të gjitha përkatësive etnike.

Duke theksuar se në relaksimin e gjendjes kanë kontribuar edhe institucionet e pushtetit lokal dhe faktorët e sigurisë në komunë, Kastrati ka kërkuar nga të gjithë faktorët që të ndërmarrin të gjitha masat për reagimin me kohë dhe efikas në rastet e zjarreve eventuale gjatë këtyre ditëve të nxehta vere, ndërsa që nga qytetarët e komunës ka kërkuar që të kenë kujdes dhe të mos jenë shkaktar të zjarreve, të cilat paraqesin rrezik para së gjithash për jetën dhe pronën e vetë qytetarëve.

Top Channel