Ekspertët e policisë rrugore, të cilët vijojnë këqyrjen e vendit të ngjarjes ku ndodhi aksidenti tragjik pranë fshatit Domen në Zonën e Fushë-Arrëzit, thonë se kanë parë shenja të forta frenimi.
Paraprakisht zyrtarët thonë jozyrtarisht se ose autobusi i pasagjerëve ka pësuar ndonjë defekt, ose shoferin e mjetit Zef Gjinin e ka zënë gjumi, duke humbur kontrollin.
Për këtë të fundit zyrtarët,por edhe njerëz të njohur të tij, thonë se ishte shofer i përgjegjshëm dhe me eksperiencë. Drejtuesi i automjetit Gjini ndërroi jetë rrugës për në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Aktualisht ne morgun e këtij spitali janë 3 viktima, ndërsa trupat e 11 të tjerëve ndodhen në spitalin e Gjegjanit.
Mjekët e Spitalit Ushtarak vijojnë të kenë nën kontroll 10 të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Një autobus udhëtarësh doli sot nga rruga dhe perfundoi në humnerë, pranë fshatit Domen në zonën e Fushë-Arrëzit. Numri i viktimave ka arritur në 14 persona, ndërsa 12 të tjerë jane plagosur. Në vendin e aksidentit është krijuar një shtab emergjence.
Top Channel