Policia e Kosovës konfiskon 50 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuane dhe arreston dy persona të cilët po e transportonin substancën.

Aksioni policor ka ndodhur të enjten rreth orës 16:00 kur njësitë speciale të Policisë së Kosovës kishin bllokuar aksin rrugor Prishtinë-Pejë për shkak të dyshimeve se aty do të kalonin persona që merren me trafikimin e narkotikëve.

Sic bëjnë të ditur zyrtarët policorë, rreth orës 16 policia ka tentuar të ndalojë një automjet me targa të huaja, i cili ka refuzuar të ndalojë. Më pas policia mundi ta ndalojë automjetin e dyshimtë në fshatin Prekaz të Drenicës.

Në makinë janë gjetur 50 kg marijuanë dhe janë arrestuar dy persona, një shtetas i Kosovës me inicialet A.R dhe një shtetas nga Shqipëria me inicialet E. B. Në një rast tjetër policia ka arrestuar edhe gjashtë persona gjatë operacionit të koduar “transaksioni”. Janë konfiskuar katër kilogramë substancë  narkotike të llojit marihuanë dhe armë automatike të llojeve të ndryshme.

Top Channel