Përfundoi ceremonia e varrosjes së 700 viktimave të Masakrës së Srebrenicës, ku sipas autoriteteve morën pjesë mbi 50 mijë persona duke e kthyer kështu përvjetorin e 15 të ngjarjes së dhimbshme në përvjetorin më të madh të zhvilluar që nga ndodhja e masakrës.

Ndërkohë ajo që spikati në përkujtimore ishte mbërritja e presidentit serb, Boris Tadiç. Kreut të shtetit serb i është afruar një grua e cila në masakër ka humbur 2 djem dhe bashkëshortin, dhe në shenjë nderimi i ka kërkuar presidentit Tadiç që vizita e tij të jetë sa më e sinqertë për të sheshuar konfliktin mes serbëve dhe muslimanëve të Bosnjës. Tadiç nuk ka folur para të pranishmëve por ka shprehur ngushëllimet e tij disave prej familjarëve të viktimave privatisht.

Ndërkaq i pranishëm në ceremoninë  e përkujtimit Ministri i Jashtëm Ilir Meta foli për Top Channel ku u shpreh se përkujtimi i kësaj ngjarjeje të rëndësishme të rajonit duhet të shërbejë si mesazh që ngjarje të tilla mos të përsëriten në të ardhmen.

Të njëjtin mesazh përcollën edhe përfaqësuesit e BE-së në ceremony, ndërkohë që për herë të parë në përkujtim morën pjesë edhe udheheqësit e kroatëve të Bosnjës.

Top Channel