Zhvillimet e fundit në Mitrovicën e veriu shkaktuan debat të nxehtë në seancën e Kuvendit të Kosovës. Seanca e Kuvendit është përcjellë me akuza dhe kundërakuza ndaj shefit të ekzekutivit.

Duke iu përgjigjur akuzave të deputeteve, kryeministri Hashim Thaçi tha se, nën qeverisjen e tij për dy vjet në Mitrovicën e veriut është bërë më shumë se ç’është bërë për tetë vjet të shkuara.

“Qeveria ime deri tani ka investuar mbi 12 milionë euro në veri të Mitrovicës, ndersa investimet deri në 2008-ën nuk kanë qenë as 100 mijë euro”, ka deklaruar Thaci.

Kryeministri ka hasur oponencën e deputetit të pavarur Driton Tali, i cili ka kërkuar llogari për zbatimin e strategjisë për veriun.

“Kur do të nisë puna për zbatimin e strategjisë për veriun”, i është drejtuar Tali kryeministrit Thaci.

“Ky është një hap që do konkretizohet me hapjen e gjykatës dhe me rritjen e investimeve për përmirësimin e jetesës së qytetarëve”, është përgjigjur kreu i qeverisë.

Kohëve të fundit kryeministri ka deklaruar disa herë se pavarësia e mbikëqyrur është drejt fundit. Por, kur bëhet fjale për integrimin e veriut të vendit ai prapë i referohet përkrahjes dhe ndihmës së përhershme të bashkësisë ndërkombëtare.

Për më tepër, kryeministri Thaci sugjeroi deputet që në sallën e Kuvendit të mos dëgjohen më zërat se moszgjidhja e problemeve të Kosovës, është Brukseli dhe Uashingtoni.

“Brukseli dhe Uashingtoni janë adresat e zgjidhjes se problemeve te Kosovës! Janë në mbështetje të konsolidimit të shtetit tonë dhe do të mbështesin edhe integrimin e tij”, ka shtuar Thaci.

Ndërkohë, deputeti Slobodan Petroviç kërkoi nga organet më të larta të shtetit fillimin e hetimeve për rastin e atentatit ndaj deputetit Miletic.

Kryetari liberal serb akuzoi pjesëtarë serbë të policisë së Kosovës pasi sipas tij, po pengojnë zhvillimin e hetimeve.

Më pas, Kuvendi ka debatuar për projektligjin e Këshillit Gjyqësor, por nuk u miratua në parim në mungesë të numrit të deputetëve. Ndërkaq, debati ka vazhduar me shqyrtimin e parë të projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, etj.

Top Channel