Këshilli i Sigurimit të OKB-së zhvilloi pasditen e sotme një mbledhje në lidhje me gjendjen e sigurisë në Mitrovicë, pas incidentëve të ndodhura të premten.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni në fjalën e tij ka deklaruar se “Serbia mbështeti protestat kundër zyrës së gjendjes civile në Mitrovicë”.

“Ka qenë një rast i izoluar kriminal që ndodhi gjatë një proteste që ka qenë e qetë, por që në mesin e saj ka pasur një numër protestuesisht të armatosur dhe këtë duhet ta vërtetojnë hetimet”, deklaroi Hyseni.
 
“Kjo protestë është organizuar me qëllim cënimin e çdo proçesi pozitiv të nisur nga qeveria e Kosovës. Kjo është bërë në mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve nga Beogradi, që ka qenë një suport shumë i madh për ekstremistët në Mitrovicë”, theksoi Hyseni.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka theksuar se “pavarësia e Kosovës nuk i shërben paqes në rajon”, duke fajësuar Prishtinën zyrtare për incidentet e krijuara.

“Kosova nuk është shtet, nuk ka një identitet të sajin. Nuk ekziston një identitet kosovar, ky është një krijim i ri. Duhet të bëjmë kompromis dhe të gjejmë një zgjidhje që garanton paqen në rajon”, theksoi Tadiç i cili gjatë fjalës së ministrit të Jashtëm kosovar, Hyseni, ka ikur së bashku me delegacionin serb në shenjë proteste.

Kreu i EULEX-it, De Kermabon hodhi poshtë zërat për një përkeqësim të situatës duke theksuar se misioni europian ka gjithçka në kontroll.

“Po hetojmë për incidentet. Nuk ka një përkeqësim të situatës dhe EULEX-i ka gjithçka nën kontroll”, është shprehur De Kermabon.

Top Channel