Plagoset me armë zjarri në veri të Mitrovicës deputeti serb i kuvendit të Kosovës Petar Miletic.

Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti. Hoti tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 7:00 të mëngjesit të sotëm, ndersa Miletic ishte nisur me makinën e tij në punë.

Sipas policisë persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri katër herë në drejtim deputetit serb. Por fatmirësisht Miletic ka marrë vetëm një plumb. Miletic ndodhet në spitalin rajonal të Mitrovicës dhe gjendja e tij shendetesore është jashtë rrezikut për jetën.

Deri më tani nuk ka të arrestuar në lidhje me rastin. Petar Miletic është deputet i kuvendit të Kosovës dhe nenkryetar i Partisë Liberale serbe kryetar i së cilës është Sllobodan Petrovic.
 
Ai jeton ne pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Sulmi ndaj deputetit serb të kuvendit të Kosovës vjen pak ditë pasi institucionet e shtetit tentuan të shtrijnë autoritet edhe në veriun e kontrolluar nga institucionet e Serbisë.

Top Channel