Shpërthimi i ndodhur paraditen e sotme në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës ka sjellë reagime të shumta.

Banorët serbë të Mitrovicës kanë akuzuar direkt shqiptarët e Kosovës si autorë të shpërthimit, i cili sipas tyre synonte të dëmtonte komunitetin e tyre.

“Sulmi është bërë nga terroristët shqiptarë, të cilët e kanë hedhur granatën ndaj serbëve”, ka deklaruar serbi Radenko Nedelkovic.

Edhe banorë të tjerë shprehen të tronditur nga ngjarja. “Nuk kam kuptuar asgjë në ato momente, nuk dimë se nga ka ardhur shpërthimi, por ishte shumë i fuqishëm”, tregon një serbe e shtruar në spital.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka deklaruar se ka nisur hetimet mbi ngjarjen, por ka refuzuar të japë detaje mbi të. “Nuk mund të bëjmë komente. Është një incident i rëndë, por po zhvillohen hetime”, ka deklaruar një zëdhënës i policisë.

Ndërsa në Prishtinë, autoritetet më të larta kanë dënuar ngjarjen dhe kanë kërkuar zbardhjen e saj. Presidenti Fatmir Sejdiu ka deklaruar se dhuna dëmton qytetarët e Kosovës, ndërsa kryeministri Hashim Thaci i ka bërë thirrje Beogradit që të heqë dorë nga veprime të tilla.

“Mesazhi im për presidentin e Serbisë është që të distancohet nga grupet radikale dhe akte të tilla”, është shprehur Thaci.

Top Channel