Të tjera hije skandali bien mbi qeverinë e mëparshme greke të Kostas Karamanlis.

Shteti grek ka ngritur një padi, me të cilën kërkon kthimin e pronësisë mbi një liqen që iu fal tre vjet më parë një manastiri.

Në aferë ishin përfshirë 5 ministra që dyshohet se kanë pasur përfitime personale nga falja e trojeve shtetërore manastirit të Vatopedit.

Ky konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha të qeverisë së mëparshme greke.

Përmasat e skandalit zmadhohen pikërisht nga implikimi i disa prej ministrave kryesorë dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të kryeministrit të atëhershëm, Karamanlis.

Skandali doli në dritë pasi disa prej mediave greke investiguan hollësisht dhe argumentuan jo thjesht shkeljen e ligjeve dhe procedurave, por vërtetuan se pjesa më e madhe e trojeve ishin shitur më pas prej manastirit për dhjetra milionë euro, ndërsa kontratat e shitjes i kishte marrë përsipër zyra e avokatisë e bashkëshortes së ministrit të Marinës Tregtare.

Publikimi i skandalit dhe mbajtja për një kohë të gjatë në qendër të aktualitetit, shënoi fillimin e fundit për qeverisjen konservatore, e cila në atë moment sapo kishte fituar një mandat të dytë qeverisjeje, në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2007.

Top Channel