Athina është kthyer sërish në arenë përleshjesh midis mijëra protestuesve dhe forcave të rendit. Përleshjet filluan në sheshin Sindagma, ku rreth 15 mijë protestues ishin mbledhur për të kundërshtuar reformat ekonomike të qeverisë Papandreu.

Pasi kërkuan të hiqet dorë prej reformave ekonomike qeveritare, një grup të rinjsh goditën policinë me gurë e sende të forta, kjo e fundit u përgjigj me gaz lotsjellës dhe kimikate.

Disa policë qëlluan dhe kërcënuan edhe gazetarët e shumtë të mediave të huaja që ndodheshin për të mbuluar protestat në Athinë.

Përleshjet vazhduan për gati një orë në rrugën Papnepistimiu.

Situata u tensionuar së tepërmi në sheshin “Omonia”, ku protestuesit u zhvendosen përpara shpërndarjes, por ndërhyrja e dhunshme e policisë ka bërë që edhe në këtë zonë të Athinës të nisin përleshjet trup me trup.

Mësohet se një polic është plagosur rëndë me dëmtime në shtyllën kurrizore. U desh gati një orë që ai të dërgohej në spital, për shkak se shërbimi i urgjencës ishte në grevë.

Të paktën 13 vetë janë arrestuar e dërguar në drejtorinë e policisë së Athinës, por ende nuk dihet nëse ndaj tyre do të ngrihen akuza.

Top Channel