Qeveria e Kosovës ka marrë masa për të përballuar një mundësi të ngritjes së tensionit si pasojë e përkujtimit të betejës së “Fushë-Kosovës” nga ana e serbëve, e cila do të zhvillohet sot në Gazimestan.

Bëhet fjalë për një festë që serbët e festojnë prej shekullit të 14, ku përkujtohet humbja ndaj trupave të Perandorisë Osmane, e cila është zhvilluar në Fushë-Kosovë. Policia e Kosovës ka hartuar një plan operativ për menaxhimin e dy pikave kufitare në veri, duke shtuar numrin e policëve dhe duke rritur masat e sigurisë. Mirëpo, ky plan është futur në veprim dy ditë pas incidentit në portën 1 në veri, ku vetëm 5 policë kosovarë u përballën me mbi 40 ekstremistë serbë.

Mbi 1000 qytetarë nga Republika e Serbisë kanë hyrë të shtunën përmes pikës kufitare në Jarinje dhe në Bërnjakë në veri të vendit, të cilët do të marrin pjesë në festën e “Vidovdanit” më 28 qershor në Gazimestan, kanë thënë burime të gazetës nga policia kufitare. Sipas këtyre burimeve, qytetarët kanë hyrë të ndarë në disa grupe me vetura dhe autobusë, si dhe një grup motoristësh. Ndërkohë, drejtori i policisë, Behar Selimi, ka bërë të ditur se për dallim nga dita e enjte, kur mbi 40 serbë kishin hyrë dhunshëm në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje, të shtunën të gjithë udhëtarët janë kontrolluar dhe legjitimuar nga policia.

Pas incidentit të shkaktuar ditën e enjte, policia ka shtuar numrin e policëve në këto dy pika kufitare, që sipas Selimit ky shtim i numrit është bërë në kuadër të një plani operativ të hartuar enkas për festën e “Vidovdanit” siç e quajnë serbët. “Ekziston plani operativ, zakonisht rrinë 8 policë, ndërsa sot janë 16 pjesëtarë të PK-së dhe nga 6 janë të policisë së EULEX-it”, ka thënë Selimi.

I pyetur nëse ekziston një plan afatgjatë operativ për sigurinë e dy pikave kufitare në veri, të cilat shpesh kanë qenë pre e sulmeve të ekstremistëve serbë nga Serbia dhe Kosova, Selimi ka pranuar se mungon një plan i tillë.

“Plani është bërë i veçantë për shkak të ‘Vidovdanit’, ku janë përfshirë edhe pikat kufitare dhe stacioni i policisë në veri, në pika kufitare janë shtuar masat e sigurisë, si dhe janë tërhequr në pikë edhe oficerët e dy njësive patrullues nga vija e
gjelbër”, ka theksuar Selimi. Ndërkaq, vetëm pak ditë pasi serbët kishin hyrë me dhunë në pikën kufitare të Jarinjës, duke mos dashur të tregojnë dokumentet e identitetit të tyre, 900 motoristë qytetarë serbë kanë kaluar të shtunën pikën kufitare në veri të Kosovës, por kësaj radhe të gjithë ata i janë nënshtruar kontrollit nga policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka theksuar se kontrolli i motoristëve serbë është bërë nga pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it dhe se nuk ka pasur asnjë problem deri më tani, raporton TV21. Ndërkaq, jo zyrtarisht mësohet se një grup prej 100 motoristësh serbë do të kalojnë në pjesën jugore, për të arritur në manifestimin në Gazimestan, ku serbët sot do të festojnë betejën e humbur të Kosovës. “Policia e Kosovës ka kryer të gjitha përgatitjet për të ruajtur rendin dhe sigurinë me rastin e Ditës së Vidovdanit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar që askush nuk do të mund të hyjë në Kosovë pa u legjitimuar më parë. Ndërsa, mediat serbe njoftojnë se disa qindra qytetarë serbë të Mitrovicës kanë pritur dje motoçiklistët, të cilët kanë ardhur në kuadër të organizimit të një koncerti humanitar. Kolona e motoçiklistëve, ka arritur gjatësinë e disa kilometrave dy ditë më parë në Mitrovicë. Motoçiklistët për Vidovdan, do të vizitojnë edhe Gazimestanin, njoftojnë mediat serbe.

Top Channel