Integrimi i Ballkanit ka mbledhur në Prishtinë studiues nga gjithë Evropa. Sipas ekspertit James Petifer integrimi i Kosovës në BE do të zgjidhte problemet e shtetit të ri dhe Evropës.

“Korrupsion ka kudo në botë, këtë e tregon edhe kriza greke. Por unë pyes, a është e përshtatshme që EULEX të hetojë personalitetet? Përfundimi im është se hyrja e Kosovës në BE zgjidh problemet e saj”, ka pohuar Petifer.

Edhe historiani shqiptar Paskal Milo ka theksuar se e ardhmja e të gjithë shqiptarëve të Ballkanit është në familjen evropiane.

“Këmbëngul se e ardhmja shqiptare është në Europë. Është e vështirë të pranojmë ndryshimin e kufijve në Ballkan, pasi do të hapeshin kutitë e tjera të Pandorës”, ka deklaruar Milo.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm kosovar Skënder Hyseni është shprehur se qeveria e Kosovës pret njohje të reja të pavarësisë pas shpalljes së vendimit të GJND-së.

“Kosova pret më shumë njohje pas opinionit të GJND-së. Shumë vende të botës kanë dilema dhe hezitojnë, por besoj se procesi i njohjeve do intensifikohet”, ka nënvizuar Hyseni.

Top Channel