Spitali i Bulqizës me gjinekolog part-time

24/06/2010 09:30

Prej vitesh, spitali i Bulqizës vuan mungesën e mjekëve specialistë. Kështu, mbi 50 mijë banorë të këtij rrethi janë të detyruar të udhëtojnë me qindra kilometra drejt qendrave të rretheve fqinje si Peshkopi e Burrel, për të marrë ndihmë mjekësore.

Drejtori i këtij spitali, Fatos Hoxha, thotë për “Shqip” se është e vërtetë mungesa e mjekëve specialistë në këtë spital, veçanërisht ai i specialitetit anestezist-reanimator, që mungon prej një viti, obstetër-gjinekolog, i cili punon part-time vetëm një ditë në javë duke ardhur nga spitali i Peshkopisë.

Ndërkohë, edhe shërbimi kirurgjikal mbetet gjysmak. Kjo jo vetëm nga mungesa e mjekut anestezisto-reanimator, gjë që ka bllokuar operimet pranë këtij spitali, por edhe për faktin se kirurgu është një mjek pensionist me banim në Tiranë.

Kështu, për çdo fundjavë, spitali mbetet i pambuluar edhe me shërbimin kirurgjikal të urgjencës, pasi mjeku kirurg i dalë në pension kthehet pranë familjes në Tiranë.

Qyteti i Bulqizës mbetet unikal për nga nevoja e ofrimit të shërbimit kirurgjikal, pasi aksidentet në minierë ku punojnë mbi 1 mijë minatorë, në atë koncesionare ACR dhe ato private, mbeten të pashmangshme.

Dhe për koincidencë në shumicë këto aksidente ndodhin pikërisht në fundjavë, ashtu siç dhe ndodhi në fundjavën e kaluar kur një grua 44-vjeçare u aksidentua në gjendje të rëndë nga fadroma teksa po mblidhte krom në stogje.

Gruaja gjeti vdekjen pa mbërritur në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas drejtorit të këtij spitali, Fatos Hoxha, ekzistenca e pellgut krommbajtës në zonën Bulqizë-Batër – Martanesh, ku punojnë mbi 1 mijë minatorë, e bën domosdoshmëri mirëfunksionimin e spitalit të Bulqizës, gjë e cila realizohet duke plotësuar me mjekë specialistë, vendet e mbetura bosh.

Top Channel