
Situata e krijuar në spitalin e Kukësit, për shkak të pacientëve të prekur nga ethet hemorragjike po shkon drejt përmirësimit. Ethet hemorragjike të shfaqura në Kukës duket se po shkojnë drejt reduktimit.
Që prej dy ditësh në spital nuk janë paraqitur pacientë të rinj, me simptoma të kësaj sëmundje, ndërkohë që të sëmurët e shtruar ditë më parë janë përmirësuar për shkak të trajtimeve dhe kujdesit shëndetësor.
Lajmi është konfirmuar nga mjeku infeksionist në spitalin e Kukësit Mark Nufi.
Sipas tij, në përmirësimin e situatës ka ndikuar fakti që të prekurit janë paraqitur në kohë pranë shërbimit të urgjencës dhe se në mungesë të medikamentit ripavirinë, pacientët janë kuruar me ilaçe të tjera ekuivalente, antibiotikë, serum.
Ditë më parë mungesa e ripavirinës u bë një çështje që alarmoi edhe Ministrinë e Shëndetësisë, por mjeku thotë se tashmë me situatën e përmirësuar.
“Tani për tani situata është në përmirësim, dy ditët e fundit nuk kemi raste të paraqitura dhe as të raportuara me ethe hemorragjike”, sqaroi mjeku Nufi duke shtuar tashmë mbetet e rëndësishme dezinfektimi i vatrave të infeksionit nga ku u evidentuan rastet e prekura.
Gjatë një muaji në infektivin e Kukësit u trajtuan 14 persona të prekur me ethe hemorragjike 4 prej të cilëve u dërguam edhe në Tiranë.
Ethet hemorragjike kanë shkaktuar tre javë më parë një viktimë në rrethin e Hasit, përkatësisht një grua 40 vjeçe nga fshati Vranisht.
Të dhënat tregojnë se gruaja humbi jetën për shkak se familjarët e dërguan në spital, përkatësisht në Gjakovë shumë ditë pasi ishte infektuar.
Spitali i Gjakovës, pasi kishte konstatuar tipin e sëmundjes e dërgon atë me urgjencë në Prishtinë po gruaja nuk mundi të mbijetojë.
Nga ana tjetër në Kosovë, ku ethet kanë qenë mjaft të përhapura, kohët e fundit kanë humbur jetën 5 persona.
Top Channel