Kurti: E drejta jonë të bashkohemi më Shqipërinë

21/06/2010 19:05

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti ka deklaruar se sovraniteti i Kosovës nënkupton të drejtën e saj për t’u bashkuar me Shqipërinë.

Në një intervistë për “REL”, Kurti është shprehur se sovraniteti i jep gjithashtu të drejtë Kosovës që të jetë zot në tokën e saj dhe jo që burimet natyrore të saj të kontrollohen nga të tjerët.

“Sovraniteti nënkupton të drejtën e Kosovës për kontrollin e resurseve natyrore dhe të kapaciteteve ekonomike, nënkupton të drejtën e Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë, nënkupton të drejtën e Kosovës për ushtri, nënkupton mospasjen e strukturave paralele të Serbisë dhe integritetin territorial”, ka pohuar Kurti.

Ai ka ritheksuar edhe njëherë qëndrimin e tij kundër pranisë ndërkombëtare, duke nënvizuar se, për aq kohë sa Kosova do të gëzojë vetëm një pavarësi formale dhe pa sovranitet, ajo nuk do të mund të integrohet kurrë në BE dhe të ketë vendin e saj në OKB.

Më tej lideri i “Vetëvendosje” ka rikonfirmuar synimin e lëvizjes së tij për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme, të cilat sipas tij janë një domosdoshmëri.

Top Channel