Qeveria greke ka njoftuar mbylljen e menjëhershme të termocentralit Ptolemaidha 1. Lajmi është bërë publik prej ministres së Ambientit, Tina Birbili.

Në një komunikatë për mediat, ministria njoftoi se TEC-i ka ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike që prej mëngjesit të së shtunës.

Ndërprerja e prodhimit të këtij TEC-i erdhi si pasojë e ndotjes së lartë dhe tej normave të lejuara që ai krijon.

Termocentrali ishte ndërtuar në vitin 1950. Për të plotësuar kërkesat për energji, në kulmin e sezonit turistik dhe temperaturat mbi 35 gradë që kanë pllakosur vendin gjatë kësaj periudhe, Greqisë do t’i duhet të importojë prej Bullgarisë dhe Shqipërisë, deri në ndërtimin e dy komplekseve energjitike të reja, deklaroi zonja Birbili.

Në zonën e Ptolemaidhes konstatohen çdo vit qindra raste me tumore në rrugët e frymëmarrjes, që sipas mjekëve shkaktohen prej diegies së qymyr-gurit, ndërsa banorët ankohen për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit dhe horizontit hidrik.

Ekspertë ambientalistë kanë konstatuar se kostoja e ndotjes është më e lartë se përfitimit që ky TEC i jep vendit, ndaj kanë kërkuar mbylljen e tij.

Top Channel