Greqia ka marrë seriozisht çështjen e luftës ndaj korrupsionit të sistemit politik në vend.
Dy partitë më të mëdha greke, PASOK dhe Demokracia e Re, që kanë qeverisur në 35 vitet e fundit, kanë rënë dakord që të publikojnë emrat e dhjetë ish-ministrave të cilëve do t’u kërkohet të hapin vullnetarisht llogaritë e tyre bankare.
Bëhet fjalë për dhjetë ish-qeveritarë nga të dy partitë, emrat e të cilëve lidhen me nënshkrimin e kontratave për armatime apo sisteme përgjimi, apo që kanë pasur një përfaqësues të familjes së tyre aksionerë në ndërmarrjet shtetërore si psh tek Organizmi Grek i Hekurudhave (OSE) apo tek Operatori Kombëtar i Sherbimit Telefonik (OTE).
Publikimi i emrave të tyre nuk nënkupton se dhjetë ish-ministrat janë të dyshuar për korrupsion, ndërsa siç thuhet lista me emrat e qeveritarëve që do t’u kërkohet hapja e llogarisë, bankare nuk është mbyllur.
Vetëm para dy javësh ish-ministri i Transporteve në vitet 96-2004, Tasos Mandelis, pohoi para Komisionit Hetimor Parlamentar se kishte marrë nga kompania gjermane “Siemens” 200 mijë euro për “subvencionim elektoral”. Katartisi politik në luftë ndaj korrupsionit dhe shumë fenomeneve të tjera që konsiderohen shkaktare të krizës greke janë sfidat që përballon qeveria e re e Papandreut.
“Kemi në këtë gjendje të vështirë ekonomike shenjat e para se jemi në rrugë të mbarë dhe besoj se është akoma një shenjë, pa qenë tepër optimist, një shenjë pozitive për të ngritur moralin e grekëve”, është shprehur Papandreu.
Por, sipas sondazhit të fundit të kompanise MRB, shtatë në dhjetë grekë janë të shqetësuar për gjendjen ekonomike të tyre, 91% ka bindje negative për ecurinë e vendit, ndërsa 84,8% besojnë se udhëheqjet politike të sotme nuk duan dhe nuk mundën të kontrollojnë korrupsionin politik.
Top Channel