Romët e Selitës, 1975-a, viti që u ndryshoi jetën

18/06/2010 19:05

Në pamje të parë fasadat e disa pallateve parafabrikate, nuk kanë asgjë të dallueshme, nga një mori të tjerash që gjen rëndom në kryeqytetin shqiptar.

Kështu mund të jetë nëse do t’i kalosh një sy kalimtar, por nëse ndal pak hapin dhe ndjek me kujdes, tingujt e muzikës që vjen nga brendësia e tyre, mendja menjëherë të shkon se në këto kate të para banojnë antarë të komunitetit me ngjyrë të Shqipërisë.

Në nje banesë në katin e parë të një pallati, në zonën e Selitës në Tiranë, shtyn ditët e pleqërisë, personazhi ynë. Ajo qeras gjithë mirësjellje mysafirët që i kanë bujtur në shtëpi dhe quhet Demirhan Demiri. “Une kam 35 vite qe jetoj ne kete shtepi. Ne ate kohe, i cuam nje leter keshillit te lagjes, dhe ata pastaj na futen ne pallate. Ashtu avash avash pastaj filuam t’i rregullojme, ca me placka, me rroba”, shprehet ajo.

Dita kur Demirhani dhe familja e saj lanë barrakat dhe u vendosën në pallate, mbetet edhe sot më e lumtura për të dhe komunitetin me ngjyrë në pallatet përreth. “Nuk kisha të ngopur duke larë dyshemenë. E laja disa herë në ditë vetëm nga kënaqësia. Nuk me hahej as buke nga qefi”, thote Demirhani.

Në këtë perimetër prej 70 metra katrorësh, gruaja e ve ka rritur plot 8 fëmijë. Ajo që mund të dallohet më kollaj është fakti se nuk dihet sesi, por ashtu si rastësisht, apartamentet që u rezervuan për këta njerëz, u takonin thuajse gjithmonë kateve përdhese. Këtë lloj racizmi institucional, ata nuk e kanë kuptuar kurrë.

Demirhani e cilëson jetesën në një pallat me dorën e bardhë, sikurse e cilëson ajo pjesën tjetër të komunitetit, si shumë të mirë por po kështu pohon se ngacmimet nuk kanë munguar. “Unë këtu kam rritur 8 fëmijë, 5 goca, 3 cuna. Marrëdhëniet i kemi pasur të mira, por ka edhe nga ata që pijnë dhe na ofendojnë”, shton ajo. Ibrahim Likzelia, është një nga pjesëtarët më të vjetër romë, që jeton në këto pallate.

“Këto pallate janë populluar në vitin 1975. Pjesa dërrmuese e romëve në pallate janë vendosur këu ne Selitë, por ka edhe në zona të tjera të Tiranës. Pyll pa derra nuk ka, por perderisa kemi shkembyer vaj e kripe me te bardhe, themi se kemi vajtur mire”, shprehet ai. Mëgjithëse pak të zhurmshëm, kjo edhe për shkak të cilësisë së veçantë që komuniteti i tyre ka, kjo duket se nuk përbën shumë problem për shqiptarët e bardhë të kateve superiore.

“Unë kam 15 vite që jetoj në këto pallate. Romët nuk janë ashtu si i mendojmë ne. Ata janë pak arapcinj, por po të dish të flasësh me ta, e gjen gjuhën”, pohon Jolanda. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Duke lënë mënjanë pigmentin që i ndan, ajo që i bashkon këta njerëz që vijnë nga kultura të ndryshme, është diçka tjetër; harmonia dhe besimi reciprok që kanë krijuar gjatë viteve të bashkëjetesës së gjatë midis tyre.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel